Administrata më 1 prill do të marrë pagat e reja, që janë 7-10 për qind më të larta se ato që kanë marrë deri tani. Dje Këshilli i Ministrave miratoi një VKM për rritjen e pagave në administratën publike. Në këtë mënyrë, pas rritjes së pensioneve që ka hyrë në fuqi nga 1 marsi, është vendosur fondi më i madh në 25 vjet, i akorduar në buxhetin e shtetit për rritje pagash dhe pensionesh.
Sipas ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, që e dha dje i pari këtë lajm, tashmë është jetësuar rritja e pagave mesatarisht 10% për punonjësit e administratës publike - Nëpunësit civilë/ nëpunësit, zv.ministrat, aparatet e ministrive të linjës, administratën e Presidentit, Administratën e Kuvendit, KQZ, Gjykatën e Lartë Prokurorinë e Përgjithshme, disa intitucione të pavarura, inistucione në varësi të Kryeministrit, ministrave të linjës dhe administratën e prefektit. Në total janë rreth 21 mijë punonjës që përfitojnë rritjen e pagës nga kategoria e mësiperme, me një kosto financiare vjetore për buxhetin e shtetit 1 miliard lekë ose 7.5 milionë euro.