Ata janë të vendosur që të mos lëvizin nga vendi, deri ditën që do të shohin vendimin e qeverisë i cili do t?i dëmshpërblejë për banesat e tyre dhe do të ndalojë kërkimin e naftës në tokat e tyre. Kjo është dita e tretë që protestuesit e fshatit Zharrëz rrinë në qiell të hapur përpara ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Arsyeja? Kompania Bankers Petrolium, për të cilën thonë me zë të lartë se u ka shkatërruar çdo gjë.
Renato është vetëm 25 vjeç, por rruga e gjatë në këmbë nga Fieri në Tiranë dhe qëndrimi në të ftohtë, ka përkeqësuar gjendjen shëndetësore të tij. Pavarësisht kësaj, ai thotë se nuk do të lëvizë nga protesta që po bën fshati i tij derisa të shohë hapa konkrete.
Kur flet me protestuesit, ata të tregojnë se nuk janë lejuar të ngrenë çadrën, ndërsa të tjerë nuk janë penguar. Jeta e tyre në fshatin Zharrëz është mes të përditshmes dhe lëkundjeve, ku siç rrëfejnë vetë ata, zgjojnë dhe trembin fëmijët në mes të natës. Por asaj që banorët e këtij fshati iu tremben më shumë, është shëndeti i tyre: mosha mesatare në atë zonë është 57 vjeç. Ministria e Energjisë po përgatit urdhrin për ndalimin e injektimit të ujit në tre puset e këtij fshati, ndërsa Ministria e Brendshme është duke bërë gati vendimin për dëmshpërblim, i cili do të miratohet në qeveri ditën e mërkurë./ TV KLAN