Bilanci në buxhetin e shtetit për vitin 2016-të është mbyllur pozitivisht, por kjo jo për shkak të arkëtimit të taksave sipas planit, por sepse shpenzimet nuk u realizuan me 240 milion dollarë.
Interesat e borxhit si në tregun e huaj, edhe në atë të brendshëm, i kanë kursyer buxhetit 80 milion dollarë, ndërsa 100 milion dollarë më pak kanë shkuar për pushtetin vendor, edhe pse këto fonde ishin planifikuar për tu dhënë.
Sipas treguesve fiskal të siguruar nga Televizioni Klan, në total nga tatimet dhe taksat janë mbledhur 120 milion dollarë më pak, ku rënia më e madhe është për tatimin mbi vlerën e shtuar, taksë e cila vendoset mbi mallrat e konsumit.
Akcizat dhe taksat kombëtare po ashtu nuk kanë patur performancën e pritur dhe sollën 50 milion dollarë humbje në bilancin e mbylljes së vitit.
Pavarësisht kësaj, totali i të ardhurave këtë vit, i cili nuk pësoi as ndryshime të mëdha në nivelin e taksave është rritur me 330 milion dollarë.
Gjatë muajve të fundit të 2016-ës, financat rregulluan edhe ecurinë në shpenzimet për veprat publike, të cilat gjatë gjithë vitit patën probleme në alokimin e fondeve./ TV KLAN