Besimi në ekonomi ka rënë me 1.2 pikë përqindje në pjesën e fundit të vitit që lamë pas.
Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin e hartuar në bashkëpunimin me Komisionin Europian, ku vërehet se sektorët kryesorë të ekonomisë janë shprehur pesimistë lidhur me aktivitetin e tyre.
Besimi i bizneseve në degën e industrisë ra me 0.3 % i prekur nga dy faktorë kryesorë: gjendja financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.
Sektori i shërbimeve tregoi një rënie të besimit me 3.4 % , duke vazhduar tendencën rënëse për disa muaj me radhë. Sipërmarrësit në këtë sektor kanë evidentuar si shkak kryesor rënien e kërkesës në treg dhe pritshmërinë për kontrata në të ardhmen.
Tregtia është dega që ka rënien më të madhe në fundin e vitit, ku ecuria e biznesit ka një rënie të besimit me 4.4 pikë përqindje dhe punësimi në këtë sektor ra me 6 pikë përqindje.
Por në kah të kundërt me këta sektorë qëndron ndërtimi, i cili shfaq një rritje të porosive që janë bërë nga klientët dhe po ashtu rezulton dhe me rritje të aktivitetit ndërtues.
Konsumatorët janë shfaqur me optimistë në fund të vitit sa i takon situatës së të ardhurave dhe blerjeve të mëdha që kanë bërë, por kanë një perceptim negativ lidhur me situatën e përgjithshme ekonomike në vend.
Tv Klan