Grupet e ekspertëve të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave sëbashku me kompaninë koncesionare dhe nën kontraktorin kinez po vazhdojnë edhe pas katër ditësh operacionin për kërkimin e 3 minatorëve kinezë që u bllokuan pas aksidentit të së shtunës në nivelin e 21 të minierës së Bulqizës.
Pas pastrimit intensiv që i është bërë pusit këto ditë nga mbetjet e shpërthimit të së shtunës dhe pas pastrimit të kolonës nga niveli i 5 në atë të 14, filluan gjatë ditës së sotme përpjekjet për të ulur ekipin e avarive në zonën e nivelit 21 që përkon edhe me fundin e minierës, vendi ku dyshohet se kanë mbetur tre minatorët.
Pas mesditës së sotme u bë ajrimi i minierës dhe futja e katër punonjësve të ekipit të avaro-shpëtimit. Ata arritën të bëjnë vetëm 70 metra drejt objektivit pasi sapo kaluan nivelin e 16 u dha sinjali i ngjitjes lart për shkak të përqindjes së lartë të gazit hidrogjen në ajër.
Në këto kushte, u reagua menjëherë nga ekipi drejtues i avarive dhe u nxor grupi sërish në nivelin e 14 për të mos rrezikuar jetën e tyre.
Nga niveli 14 deri në nivelin e 21 ku dyshohet se ndodhen minatorët është një distancë prej 240 metrash.