Reforma në Drejtësi ka nisur në shkelje të hapur të ligjeve që linden nga ndryshimet Kushtetuese të 21 korrikut.
Institucioni i pare i kësaj reforme, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka në përbërje të tij anëtarë të cilët nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara qartë në ligjin ?Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë?.
Shorti i hedhur më 27 janar nga Kuvendi i Shqipërisë përzgjodhi dy anëtarë nga Gjykata e Lartë, por asnjëri prej tyre nuk e plotëson kriterin e përcaktuar ne paragrafin D, të nenit 221 të ligjit, i cili kërkon që magjistrati të këtë mbaruar Shkollën e Magjistraturës.
Gjykata e Larte nuk dërgoi kandidatura që plotësonin kriterin e Magjistraturës, siç ia kërkon ligji, por të gjithë listën e anëtarëve të saj dhe shorti u hodh mes gjithë anëtarësisë. Edhe kjo një shkelje e ligjit, pasi Gjykata e Lartë duhet të kishte dërguar specifikisht gjyqtare që përmbushnin kriteret.
Nga gjyqtarët që u ra shorti, asnjëri prej tyre nuk rezulton të këtë kryer studimet në Magjistraturës.
Gjatë procedurës, përfaqësuesit e Kuvendit e konstatuan këtë shkelje të ligjit. Dhe kandidatët e Gjykates së Lartë duheshin skualifikuar. Pika 2 e nenit 221 e thotë qartësisht: Kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kritere përjashtohen nga Shorti.
Por pavarësisht këtij fakti, Kuvendi procedoi me hedhjen e shortit duke sqaruar se nuk është ai institucioni qe i verifikon kriteret apo përjashton kandidatet.
Kryetari i Kuvendit e sqaroi edhe ne një konference të mëvonshme se Kuvendi nuk e ka detyrim ligjor për të pare nëse kandidatët i plotësojnë kriteret.
Mesa duket, përpjekja për ta bërë shpejt e shpejt e për gjithë natën këtë reforme të rëndësishme ka çuar në gafa te tilla, që kërkohen nga Gjykata e Lartë kandidatë me shkollë magjistrature dhe nuk shihet me pare nese ne kete gjykate qe i kane kryer këto studime.
Po kështu ndodhi edhe me prokurorinë, e cila dërgoi vetëm kandidatët që e plotësonin këtë kriter dhe u sulmua padrejtësisht vetëm për se respektoi rigorozisht ligjin.
Vendimi i prokurorisë u konsiderua si antikushtetues nga ambasadori amerikan në Tirane, Donald Lu. Ndërsa për rastin e anëtarëve te Gjykatës së Lartë, që janë përzgjedhur hapur në shkelje të ligjit e Kushtetutës, siç u pranua edhe nga organizatoret dhe pjesëmarrësit e shortit, nuk ka asnjë reagim.