Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se Shoqëritë Private të Sigurisë Fizike nuk ofrojnë sigurinë për të cilën shpesh kontraktohen. Konstatimi u bë gjatë një takimi me përfaqësues të kompanive private të sigurisë fizike në Tiranë.
Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Gjatë kësaj kohe unë kam vënë re probleme të cilat nuk janë të vogla lidhur me standardin dhe cilësinë e shërbimit që jepni ju në raport me kontraktorët, në raport me kompanitë që keni në sigurim dhe mbi të gjitha në raport me qytetarët dhe me publikun. Ajo që kam vënë re është se: burimet njerëzore që ju mobilizoni janë kryesisht mosha të thyera.
Sipas Tahirit, shumica e punonjësve të policive private janë të paguar në nivele qesharake, ndaj brenda muajit paga e tyre të arrijë në së paku 33 mijë lekë të reja.
Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Policia e Shtetit ka bërë një verifikim dhe një inspektim jo vetëm pranë kompanive që ju drejtoni, por edhe pranë kontraktorëve tuaj. Na rezulton që sot një polic privat është shumë, shumë i nënpaguar. Ka raste 40%. Paguhet vetëm 40 % e pagës së deklaruar. Ka raste nuk i jepen as orët e pushimit siç i takon në bazë të ligjit. Ne jemi shumë të vendosur që, 9 000 policët privatë nën përgjegjësinë tuaj, që ruajnë institucione shumë të rëndësishme, asnjë prej të 9000 ?ve të paguhet më pak se 330 mijë lekë të vjetra.
Pas takimit, Tahiri u pyet nga gazetarët në lidhje me kërkimet për Balilin, apo hetimet për çështjen e grabitjes së Rinasit, për të cilat ai nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë./ TV KLAN