Anulimi i vizave, reagon Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve

RTV KLAN 2017-04-01

Views 1

Anulimi i vizave amerikane ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve ka sjellë reagimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve në Shqipëri.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat ata thonë se kjo çështje duhet të trajtohet individualisht për secilin rast dhe nuk mund të shërbejë si etalon matjeje për punën në institucionet e drejtësisë dhe as si kriter për vendimmarrjen e organeve që do të realizojnë procesin e vettingut.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve shprehet se retorika që po përdoret ndaj sistemit të drejtësisë dhe sidomos ajo e lidhur me ngjarjen e fundit ka gjasa që të shërbejë si mjet presioni ndaj organeve të reja kushtetuese, duke mos i lejuar që të kryejnë misionin për të cilin janë krijuar, konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Sipas shoqatës së gjyqtarëve me avancimin e etapave të reformës në sistemin e drejtësisë, presioni ndaj funksionarëve të këtij sistemi po rritet gjithnjë e më tepër.

Ata shprehen të zhgënjyer nga fakti që opinioni publik po ushqehet me komente denigruese dhe po i serviret një tablo e deformuar në lidhje me sistemin e drejtësisë, duke synuar delegjitimimin e këtij sistemi. Kjo jo vetëm nuk i shërben kryerjes me sukses të kësaj reforme të madhe, por minon themelet e suksesit të saj, shprehen gjyqtarët.

Në fund të deklaratës Shoqata e Kombëtare e Gjyqtarëve garanton vendet kontribuuese për reformën në drejtësi, se institucionet e drejtësisë nuk kanë qenë, nuk janë dhe as nuk do të jenë pengesë në kryerjen e kësaj reforme, por as nuk do të lejojnë që të nëpërkëmbet dinjiteti i funksionarëve të drejtësisë./ Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form