Komisioni Hetimor për pajisjen 'IMSI-catcher' ka thirrur për të raportuar ditën e sotme shefat e policisë së burgut të Elbasanit, të Peqinit dhe të Rrogozhinës.
E ndërsa shefat e burgut të Elbasanit dhe të Peqinit mohuan dijeninë që në ambientet e burgut të jetë futur një pajisje përgjimi, shefi i burgut të Rrogozhinës, Besnik Kaptelli deklaroi se me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, Artur Zoto ka pritur në zyrë në kohën që ka qenë drejtori i burgut të Peqinit një oficer të policisë, Entjol Xhelilin.
Besnik Kaptelli u shpreh se oficeri i policisë është futur me makine sipas rregullores dhe protokollit të burgut, ndërsa e ka pritur për 15 minuta në zyrë ku ka diskutuar për cështje sensitive për bashkëpunimin mes institucioneve dhe më pas është larguar.
Besnik Kaptelli deklaroi se për këtë cështje ka dhënë dëshmi edhe në prokurorinë e Tiranës, ndërsa emrin e oficerit e ka mësuar pas nisjes së hetimeve.
Gjithashtu Kaptelli u shpreh se nuk ka pasur dijeni që në makinën të ketë pasur pajisje përgjimi.
Edhe Shefi i Policisë së Burgut të Fushë- Krujës, Gëzim Gjoni deklaroi se pas urdhrit nga Drejtori i Përgjithshëm është futur në ambientet e burgut 302 oficeri i policisë Xhelili, (në kohën që e drejtonte) ndërsa ka shënuar në protokoll se synim ka qenë matja e cilësisë së ajrit me një pajisje, të cilën ai tha se nuk e ka parë.