Spitali Rajon i Elbasanit është spitali tjetër i radhës, i cili ofron tashmë proteza ortopedike falas për të gjithë pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim mjekësor. Banorët e Elbasanit dhe zonave përreth që kanë nevojë për një ndërhyrje të tillë do të mund ta marrin këtë shërbim pranë vendbanimit të tyre dhe me një cilësi tepër të lartë.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, si dhe përfaqësuesë të pushtetit vendor, ishin në spitalin Rajonal të Elbasanit ku takuan edhe një prej pacientëve të të parë që kanë përfituar nga ky shërbim i ri i cili ofrohet në këtë spital.
Ministri Beqaj u shpreh se, tashmë, pacientët mund ta marrin falas këtë shërbim duke kursyer në xhepat e tyre të paktën 3 milionë lekë, teksa shtoi se janë afro 1200 persona në të gjithë Shqipërinë që do të përfitojnë proteza falas gjatë këtij viti.