I thirrur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për CEZ, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me marrëveshjen e mirëkuptimit që çoi në zgjidhjen e konfliktit me kompaninë çeke, për të cilën opozita pretendon se është bërë në dëm të shtetit shqiptar.
Kreu i qeverisë rikonfirmoi se zgjidhja e marrëveshjes me CEZ -in nuk ishte e paravendosur, por u imponua nga situata e trashëguar nga qeverisja e kaluar. Por demokratët, duke iu referuar korespondencës që avokati ndërkombëtar i qeverisë zhvilloi me Kryeministrin Rama dhe Ministrin Gjiknuri më 3 Mars të 2015 tha se qeveria vendosi të përfshihet në negociata me CEZ, pa depozituar më parë kërkesën për Arbitrazh.
I pyetur nëse zgjidhja e marrëveshjes me mirëkuptim ka qënë kusht nga pala çeke që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat, Kryeministri nuk mohoi qëndrimin e Çekisë, por tha se qeveria shqiptare nuk u ndikua nga ky presion.
Kryeministri shpjegoi edhe përcaktimin që është bërë në kontratën e mirëkuptimit me CEZ, në rast se zbulohet që zyrtarët publikë janë përfshirë në afera korruptive lidhur me këtë çështje..
Pavarësisht akuzave në adresë të Kryeministrit për një aferë që opozita thotë se arrin në rreth 1 miliardë euro, në mbyllje të Komisionit palët, edhe pse me ironi, bënë përshendetjet e fundvitit.
Tv Klan