TIRANË-Dy persona të maskuar kanë grabitur me armë një bankë të nivelit të dytë në afërsi të "21 Dhjetorit".
Grabitja ka ndodhur në orën 08:25 në momentet sapo ishte hapur filiali i bankës.
Sipas informacioneve dy personat me armë zjarri dhe të maskuar me shall dhe kapele, pasi kanë neutralizuar sigurimin e bankës, kanë vazhduar drejt kasës ku mendohet se kanë grabitur një shumë rreth 200 mijë lekë.
Në momentin e parë që grabitësit kanë hyrë në bankë kanë goditur dy punonjësit e sigurisë të cilët kanë marrë disa lëndime. Punonjësit nuk kanë rezistuar por vetëm njëri prej tyre ka shtypur alarmin e sigurisë.
Grabitësit kanë tentuar hapjen me forcë të kasafortës por duke e qenë e pamundur janë mjaftuar me një shumë të vogël që ndodhej në kasë.
Autorët nuk mendohet se janë larg sepse policia ka mbërritur shumë shpejt në vendngjarje dhe po i ndjek, kjo duke qenë se banka ndodhet rreth 100 metra afër komisariatit të policisë.