http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Shkon ne 1.3 ton sasia e kanbasit të kapur mbrëmjen e së martës gjatë një operacioni anti-kanabis të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në fshatin Derven të Krujës. E ndërsa policia vijon me kontrollet në dhjetëra magazine, që shërbejnë si mobilieri në zonën e Niklës, burimet bëjnë me dije se deri tani numri i të arrestuarve arriti njëmbëdhjetë. Këto janë dy ambientet, një magazinë dhe një banesë e pabanuar, në brendësi të të cilave u gjetën bimë narkotike të thara. Aty ndodhen ende gjurmë dhe materiale qe trafikantët i përdornin për tharjen e lëndës narkotike, ndërsa një pjesë ishte bërë gati për shitje. Jashtë magazinave gjendet ende drogë, e cila është në proces asgjësimi. Sipas policisë, gjatë hetimeve të kryera janë administruar një sërë provash materiale që tregojnë implikimin e 11 personave të arrestuar, në kultivimin dhe më pas tharjen dhe trafikimin e lëndës narkotike. Mësohet se 11 të arrestuarit kanë lidhje farefisnie mes tyre, ndërsa policia vijon hetimet pasi dyshohet se ka ende persona të përfshirë. Gjate kontrolleve u zbuluan edhe 6 armë zjarri, fishekë, automjete dhe telefona celularë me te cilët komunikonte grupi kriminal.