Report TV ishte sot në konviktin ku jetonte Erjon Selimaj, 26-vjeçari që kërcënoi ditën e djeshme se do të hidhej nga vinçi në kantierin e ndërtimit të stadiumit të ri në kryeqytet.
Ne ishim me kameran tonë në konviktin e shkollës industriale në qytetin e Vlorës, në dhomën ku ka jetuar Erjoni me babain e tij.
26-vjecari jetonte vetëm me babain, i cili ka probleme të shëndetit mendor, pasi e ëma i ka braktisur dhe jeton në Itali.
Drejtoresha e konviktit, Zara Balla thotë se Erjoni ishte problematik dhe me çrregullime mendore. Sipas Ballës, ai kishte shfaqur vazhdimisht probleme, si për punonjësit ashtu edhe për familjarët dhe nxënësit që jetojnë në konvikt.
Sipas saj, Erjoni kishte konflikte të vazhdueshme me të atin, ndaj të cilit ka ushtruar edhe dhunë për t'i marrë lekët e pensionit. Sipas Ballës, 26-vjeçari ka refuzuar edhe punën.