Më shumë se 70% e nxënësve që mbarojnë arsimin profesional, punësohen brenda një viti. Kështu u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi gjatë një seance dëgjimore në Komsionin e Edukimit, ku raportoi për gjendjen e arsimit profesional.
Sipas Klosit nuk mund të pranohet që një i ri të ketë diplomë juridiku dhe më pas të kalojë në arsimin profesional.
Në këtë seancë dëgjimore nuk munguan as debatet mes Klosit dhe deputetëve të opozitës, të cilët hodhën akuza se arsimi profesional, po degradohet.
Debate pati edhe për nxënësit me mesatare më pak se 6, të cilët sipas deputetëve të opozitës nuk mund të vazhdojnë universitetin, por as nuk ndjekin dot arsimin profesional, për shkak të mesatares shumë të ulët.
Ndërkohë Ministri Blendi Klosi u shpreh se nuk është e mundur të ndërtohen shkolla të reja profesionale, për shkak se nuk ka fonde. Nga ana tjetër Ministria e Mirëqenies Sociale ka gati ligjin i ri për arsimin profesional.