Seanca plenare e sotshme ka nisur me debatë mes palëve. Kultivimi i hashashit dhe mbajtja e zgjedhjve në Dibër janë dy ndër temat kryesore që kanë përplasur deputetët e majtë dhe të djathtë.
Deputetët demokratë akuzuan edhe në sallën e Kuvendit se PS bleu votat e dibranëve me paratë e drogës. Deputetët Genc Pollo dhe Flamur Noka hodhën akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të policisë së Dibrës dhe ligvënësve socialistë.
Nga ana tjetër, Koordinatori i PS për Dibrën, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri u shpreh se PD u investua fort me njerëz nga Tirana për të cenuar zgjedhjet në Dibër. Sipas tij, demokratët shkuan deri aty sa i kërkuan ndihmë njerëzve të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili.