Këshilli i Stabilizim Asociimit (KSA) ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mbajti takimin e tij të tetë, ku KSA u ndal në Raportin 2015 të Komisionit për Shqipërinë, i cili konkludoi se vendi ka shënuar progres të mëtejshëm drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim dhe, në përgjithësi, progres të qëndrueshëm lidhur me pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim.
KSA u ndal në konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 15 dhjetorit 2015, të cilat njohën angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në agjendën e reformave. Në këtë kontekst, Këshilli theksoi se reforma në drejtësi mbetet kyçe për të avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe mund të ketë gjithashtu rol transformues për reforma të tjera.
KSA konfirmoi se Shqipëria ka ruajtur një ritëm përgjithësisht të qëndrueshëm në zbatimin e masave të reformave në administratën publike. BE-ja përshëndeti miratimin unanim në korrik të një sërë ndryshimesh kushtetuese, për një reformë të plotë e gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë.