Forcat e Armatosura kontribuan në operacionin për shuarjen e zjarrit masiv që përfshiu pasditen e djeshme Malin e Shëngjinit në Lezhë, nga i cili rrezikoheshin banesa, por dhe cisterna karburanti, të cilat ndodhen afër portit.
Në këtë operacion u angazhuan mbi 100 efektivë të Batalionit Vau i Dejës dhe Batalionit Komando. Forca Ajrore u angazhua me një helikopter gjatë pasditës së djeshme. Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Emergjencat Civile punuan deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në mbështetje të këtij operacioni u angazhuan edhe 5 mjete transporti dhe 2 ambulanca, të gatshme për evakuim banorësh të rrezikuar dhe dhënie ndihme. Njëherësh, 4 mjete zjarrfikëse të Komandës Mbështetëse u angazhuan në operacionin për fikjen e zjarrit në Malin e Shëngjinit në Lezhë.
Aktualisht rreth 20 forca po qëndrojnë në terren për të shmangur mundësinë e riaktivizimit të ndonjë vatre.