Partia Demokratika akuzon kryeministrin Edi Rama se ka kërcënuar gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, me qëllim shtyrjen e datës së zgjedhjeve në Bashkinë e Dibrës.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, u shpreh gjatë një konference për shtyp se Rama përdori Alekt Hysenin, i emëruar në krye të Drejtorisë Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas tij, Hyseni u ka thënë gjyqtarëve se nëse nuk shtyjnë datën e zgjedhjeve, do përballen me procesin e vettingut.