Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj u shpreh se reforma në drejtësi do të votohet nesër në Kuvend, pavarësisht ngërçit të krijuar prej kushtit të ri të PD.
"Së pari, Kuvendi mund të zhvillohet normalisht nesër, ka një draft, projekt kushtetues për të cilën është e përgatitur e gjithë procedura parlamentare. Relatorët e komisionit kanë firmosur raportin që do t'i paraqitet seancës. A është ky i duhuri? Po themi ne, SHBA, BE. Por ka dikush që nuk thotë dot po. Projekti është gati për tu shqyrtuar nesër në seancë plenare. Parlamenti nuk funksionon sipas humorit të ditës të njërit apo tjetrit. Në sallën e Kuvendit mund të ulen të gjithë deputetët. Ka një projekt i cili është miratuar në komisionin ad hoc dhe është depozituar në Kuvend. Nëse ka vullnet, projekti duhet të votohet nesër. Nëse duan t'i vendosin gurë në rrota integrimit të vendit, kjo s'është përgjegjësia ime", u shpreh Xhafaj.
Ai akuzoi Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha se po shpik probleme me qëllim bllokimin e reformës në drejtësi. Ai e cilësoi teatër absurd kërkesën e PD jashtë tryezës së negociatave ku u arrit konsensusi për vettingun.
"Kjo që po ndodh është si shkak i çudive dhe marrëzive që ofron politika shqiptare, edhe të gënjeshtrave të radhës që nxjerr politika, për t'i bërë bisht përgjegjësive që ka ndaj qytetarëve, të ardhmes së vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ky teatër që është duke zhvilluar PD, është një gjë e turpshme. nuk është korrekte. me qëndrimet e veta, me qytetarët e këtij vendi dhe me partnerët.