Kryeministri i vendit Edi Rama teksa ka mbledhur dhe drejtuar sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste ka thënë se Reforma në Drejtësi do të çohet këtë të enjte në Kuvend me çdo kusht.
Po ashtu, gjatë gjithë mbledhjes së grupit parlamentar, Rama ka insistuar që Reforma të votohet më 21 korrik në seancën e radhës së Kuvendit.
Ai ka shtuar se reforma është për të ardhmen e vendit dhe për integrimin në Bashkimin Europian.
?Duhet të tregojmë patriotizmin. Reforma është për të ardhmen e Shqipërisë dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Do çohet në Kuvend me çdo kusht. Reforma duhet votuar patjetër më 21 korrik? mësohet se ka deklaruar Rama.
Por, sa i përket propozimit të aleatit të tij Ilir Meta për qeveri ekspertësh, Rama mësohet se nuk e ka prekur fare këtë çështje gjatë diskutimeve me grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është shprehur për mediat, përpara nisjes së mbledhjes së grupit parlamentar socialist, se nuk është koha për të diskutuar për qeveri teknike.
Sipas tij, axhenda kryesore e mazhorancës është miratimi i reformës në drejtësi. "Në fokus është reforma në drejtësi. Dhe kjo është axhenda kryesore e mazhorancës", u shpreh Tahiri.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati i cili theksoi se reforma në drejtësi është detyra kryesore.