I vetmi i dënuar me burg përjetë nga 7 anëtarët e bandës së tritolit qe kryente vrasje me pagesë është Andon Mëhillaj për të cilin gjykata e krimeve të rënda vendosi të lërë në fuqi dënimin që kërkoi prokuroria.
Me 35 vite burg u dënua Julian Sinanaj ndaj të cilit rënduan katër dënime me burg përjetë por me marrëveshjen që ai ka me drejtësinë shqiptare dhe statusin e bashkëpunëtorit dënimi për të u reduktua në 35 vite burg.
Për Sinanajn gjykata kërkoi që ai të vuajë dënimin në një burg të veçantë nga shokët e tij të bandës së tritolit dhe të mbahet nën ruajtjen e shtetit për efekt të sigurisë për 30 vite.
Me tetë vite burg u dënua bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Ndriçim Gjokonaj i cili rezulton se me dëshminë e tij tregoi për hetuesit se si funksiononte grupi dhe si kryheshin porositë e vrasjeve dhe vendosjes së tritolit.
Genis Mëhillaj i cili për 65 seanca u gjykua në mungesë pasi nuk u arrestua asnjëherë dhe sot është në kërkim nga Interpol dënimi nga burg përjetë që kërkoi prokuroria u konvertua në 10 vite me verdiktin e gjykatës.