Report TV - Ekspertët e Mjedisit dhe Shoqëria Civile pro importit të mbetjeve

Report TV 2016-09-19

Views 13

Përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe ekspertë të Mjedisit shprehen pro importit të mbetjeve urbane në Shqipëri për riciklim. Gjatë diskutimit të projektligjit për importin e mbetjeve urbane në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, deputeti socialist dhe njëherazi nismëtari i ligjit, Eduard Shalsi tha se në import përfshihen mbetjet e riciklueshme. "Ne duam që të kuptohet qëllimi i mirë për importin e mbetjeve. Jemi të hapur të marrim sugjerime. Nuk duam që kjo çështje të politizohet", u shpreh Shalsi.

Importi i mbetjeve të riciklueshme jep impakt edhe në ekonominë e vendit, duke krijuar vende të reja pune. Gavrosh Zela nga Shoqëria Civile e lidhi këtë fakt edhe me mbrojtjen e mjedisit. "Jemi pro importit të mbetjeve sepse lidhet ekonomia me mjedisin si dhe hapen vende pune", tha ai.

"Jam kundër bllokimit të importit të mbetjeve. Të lejohet ardhja e tyre në Shqipëri sepse kemi përfitime", tha Edlir Vokopola, ekspert i Mjedisit.

Xhemal Mato, përfaqësues i shoqatave mjedisore kërkoi kontroll të fortë në dogana, për të parandaluar hyrjen në territorin shqiptar të mbetjeve të rrezikshme. "Të përmirësohet kontrolli në dogana, nuk jemi për bllokimin ekstrem të importit. Mbështesim projektligjin dhe të lejohet ardhja e mbetjeve për efekt ricklimi", deklaroi ai.

Përfaqësuesi i qendrës rajonale të mjedisit, Eduart Cani e vuri theksin te konsultimet e vazhdueshme në mënyrë që projektligji për importin e mbetjeve të marrë mbështetjen e duhur.

Projektligji do të diskutohet në seancën e Kuvendit të datës 21 korrik.

Share This Video


Download

  
Report form