Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka shmangur sërish komentet për reformën në drejtësi. Nga Elbasani ku mori pjesë në inaugurimin e një biznesi fason, Meta tha se do të shprehet në datën 21 korrik, ditë kur edhe pritet të votohet reforma. "Për reformën duhet të pyesni Petrit Vasilin. Unë do flas më 21 korrik", u shpreh kreu i Kuvendit.
Duke inauguruar një biznes të ri fason në Cërrik, Meta tha se ky investim do të krijojë vende pune për gratë dhe vajzat e zonës.
"Shpresoj që shumë vajza e gra që po trajnohen të bëhen pjesë e punës në këtë biznes për të zbutur papunësinë e Cërrikut. Nuk jam partizan i arritjeve imagjinare, por është mirë kur hapen biznese të reja qofshin edhe modeste. Ky biznes është një mundësi dhe do punohet për të hapur sa më shumë biznese për të përballuar me dinjitet jetën. Pushtetarët vendorë duhet të punojnë për të hapur sa më shumë biznese për të krijuar sa më shumë vende pune", tha Meta.