Taksa e pastrimit do paguhet në faturat e ujit të pijshëm. Por tashmë kjo taksë do të paguhet sipas një formule të re. Qeveria ka propozuar një draft të ri me formulën e llogaritjes për menaxhimin e mbetjeve, ku familjarët, bizneset dhe administrata shtetërore do paguajnë tarifë të ndryshme.
Drafti propozon tri mënyra për llogaritjen e taksës së pastrimit. E para është në bazë të numrit të popullsisë, e dyta na bazë të sipërfaqes së pronës dhe e treta nëpërmjet modelit progresiv.
Tarifa në bazë të numrit të popullsisë, parashikon që çdo qytetarë të paguajë 1300 lekë në vit. Pra një familje me 4 pjestarë do të paguajë 5200 lekë në vit taksë pastrimi.
Modeli që bazohet tek sipërfaqja e pronës, parashikon që taksa të paguhet në bazë të metrave katrorë që një familje ka, duke përfshirë sipërfaqen e banesës por edhe të tokës.
Ndërsa modeli progresiv për të paguar taksën e pastrimit, parashikon që niveli i tarifës të jetë në bazë të sasisë së mbetjeve që një familje gjeneron.
Formula e re përfshin koston për grumbullimin e mbetjeve që është 480 lekë në vit, kostoja e depozitimit 490 lekë në vit për banorë si dhe kostoja e transportit dhe amortizimit që është 350 lekë për banorë në vit.