Komisioni reformës në drejtësi i dha dorën e fundit paketës së ndryshimeve kushtetuese. Pa opozitën dhe nën monitorimin e ambasadorëve Lu e Vlahutin, deputetët e PS e LSI votuan nen për nen dhe në tërësi draftin e reformës. Demokratët u larguan nga mbledhja pak minuta pas fillimit të saj. Ata deklaruan se nuk mund të kalonte drafti në komision pa përfunduar negociatat politike për formulën e zgjedhjes së institucioneve.
I vetmi variant i pranueshëm prej tyre do të ishte ai kur zbatohet e njëjta formulë zgjedhjeje dhe për anëtarët e 2 institucioneve të 'vettingut' si ajo për KLGJ e KLP. Po ashtu PD kishte ankesa dhe për përfshirjen minimale të amendamenteve të paraqitura prej saj në variantin final të miratuar nga komisioni.
Ndërkaq të qartë kanë qenë ambasadorët të cilët i kanë bërë të qartë palëve se Drafti që po miratojnë ka mbështetjen e plote si të ShBA dhe BE.
Pavarësisht se formula e votuar nga maxhoranca parashikon zgjedhjen e anëtarev të institucioneve të reja fillimisht me 2/3 e votave në kuvend dhe pas zgjedhjeve të 2017 me 3/5, PS u tregua e gatshme për ta ndryshuar deri para seancës finale kur do të miratohet seance. Pavarësisht paketës kushtetuese në të njëjtën seancë duhet ët kalojnë dhe rreth 40 ligje të tjera që përbëjnë reformën në drejtësi.