Pas tragjedisë së një dite më parë ku nga flakët në bordin e autobusit që udhëtonte me besimtarë nga Vlora drejt Krujës humbi jetën Vasilika Gjika dhe u plagosën 11 persona të tjerë policia, ka arrestuar shoferin Skënder Jonuzaj.
Arrestimi i Jonuzaj konfirmohet për Report Tv nga policia e Krujës e cila ka proceduar atë për shkelje të rregullave të sigurisë teknike.
Për ngjarjen e djeshme kanë nisur hetimet dhe nga prokuroria e cila ka caktuar një grup prej 4 ekspertësh auto teknik të cilët do ti japin përgjigja disa pyetjeve?
Akuza kërkon të dijë:
Ishte apo jo i kolauduar autobusi me targa AA 584 MP që drejtohej nga Jonuzaj?
Ka shfaqur defekte të mëparshme apo kryer servis para udhëtimit që përfundoi në pasoja tragjike?
Punonin sistemet e ftohjes së motorit?
Ishte brenda kapaciteteve të lejuara numri i udhëtarëve?
Ishte apo jo i pajisur mjeti me fiksen e zjarrit dhe pajisjen e ndihmës së shpejtë?
Në përfundim të këtij raporti Prokuroria do të vendosë dhe për akuzën që do të ngrejë ndaj përgjegjësve të këtij aksidenti pasi fillimisht dyshimet janë për një shkëndijë elektrike dhe një defekt teknik.
Një ditë më parë teksa ngjitej në maloren e Krujës autobusi
mori flakë e për pasojë nuk mundi të shpëtojë 65 vjeçarja Gjika e cila u shkrumbua brenda në autobus.
Në hetimet e nisura për këtë ngjarje janë administruar mbi 20 dëshmi të cilat deklarojnë se gjithçka ka ndodhur në 2 minuta dhe ka qenë vetëm ndërhyrja e banorëve të Krujës që ka shmangur një pasojë më të rëndë pasi dhe 11 të aksidentuarit kanë luftuar me flakët deri sa kanë dalë jashtë.
Pas ndihmës mjekësore në repartin e djegieve në QSUT disa prej të lënduarve këtë të shtunë kanë lënë spitalin ndërsa 7 prej tyre qëndrojnë ende nën kujdesin e mjekut.