PESHKOPI- Dy nxënëse të shkollës 9-vjeçare "Selim Alliu" në Peshkopi, janë përplasur nga një automjet tip Benz teksa ndodheshin jashtë rrethimit të shkollës gjatë pushimit të gjatë. Dy nxënëset janë përplasur teksa po tentonin të kalonin rrugën, e cila ndodhet pothuajse ngjitur me shkollën.
Për pasojë njëra nga nxënëset e klasës së 5-të është në gjendje të rëndë dhe pasi ka marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Peshkopisë është nisur me autoambulancë drejt Tiranës pasi ka nevojë për ndërhyrje të mjekëve specialistë.
Në fakt për nxënësen e plagosur Ministria e Shëndetësisë nisi një aeroplan nga Tirana, por mësohet se është detyruar të kthehet mbrapsht për shkak të motit të keq.
Sakaq policia ka shoqëruar në komisariatin e Dibrës drejtuesin e mjetit. Ai mësohet se është një emigrant i kthyer një ditë më parë nga Italia.