Të dënuarit me burgim të përjetshëm shumë shpejt mund të lënë qelitë. Kështu parashikon paketa me ndryshimet e reja në Kodin Penal. Ndryshimet janë propozuar nga misioni EURALIUS në Tiranë, strukturë kjo e Bashkimit Evropian, e cila asiston autoritetet shqiptare për reformën në drejtësi. Teksa Ministria e Drejtësisë ka në plan hartimin e një Kodi të ri Penal, sigurisht në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare, EURALIUS ka propozuar një draft me ndryshime emergjente.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme, çka mund të hapë edhe një debat të madh publik, parashikon lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Konkretisht drafti rrëzon paragrafin e parë në nenin 65 të Kodit Penal në fuqi, në të cilin thuhet se nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. Neni 65 i ndryshuar, parashikon lirimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm, nëse ata plotësojnë tre kushte. ?Një i dënuar që vuan dënimin me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata, nëse ai ka vuajtur të paktën njëzet e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka qenë i shkëlqyer dhe që qëllimi i riedukimit të tij është arritur?, thuhet në nenin 14 të draftit të ri, i cili ndryshon nenin 65 të Kodit Penal.