Kjo është pamja e trishtë që të ofron kisha 200-vjeçare në lagjen Bregas të Patosit, e cila shërben si banesë për një nënë dhe dy fëmijët e saj.
Muret janë të çarë, ambientet me lagështirë dhe familja Duraj është tërësisht e varur nga kushtet atmosferike. Në këtë kishë-shtëpi, nuk ka energji elektrike, as ujë dhe madje as tualet për të kryer nevojat e tyre personale.
Dhe as destinacioni fillestar i kësaj ndërtese nuk ka mundur dot ta shmangë dramën e familjes Duraj, e cila përveç varfërisë u përball edhe me divorc. Kryefamiljari Fuat Duraj rezulton të jetë ndarë me bashkëshorten e tij Mersije, pikërisht prej konfliktit që hyri në familje për shkak të kushteve të rënda ekonomike.
Kunata e Mersije Ahmetajt tregon se me çfarë kushtesh përballen përditë të afërmit e saj që strehë të vetme kanë shtëpinë e zotit.
Rronja tregon se kunata e saj dhe dy fëmijët përballen përditë me frikën e rrëzimit të mureve dhe shprehet se nuk do të jetë e largët dita kur në këtë familje të ndodhë ndonjë tragjedi.
Një tjetër i afërm i familjes tregon se pranë kësaj kishe kohë më parë gjendeshin varrezat.
Edhe pse në lagje myslimanësh, kisha me moshë dy-shekullore ka shërbyer për të kryer rite fetare. Ajo është dëmtuar në periudhën e komunizmit dhe gjatë dy dekadave të fundit ka shërbyer si banesë për familjen e pastrehë, dikur me 4 anëtarët.