Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se është ai që po vonon reformën në drejtësi. Ndonëse ishte njoftuar një mbledhje e komisionit ad hoc për reformën, demokratët nuk kanë marrë pjesë. Në një prononcim për mediat, bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar, Eduard Halimi, u shpreh se kreu i qeverisë kërkon të ketë nënkontroll sistemin e drejtësisë.
?Edi Rama i doli në mbrojtje bandave e Emiliano Shullazit, duke thënë se policia kishte kërkuar arrestimin, por ishte prokuroria ajo që e kishte vonuar. Një deklaratë që nuk arriti ta artikulonte as avokati de jure i Shullazit para kamerave. Kjo është drejtësia që do Edi Rama. Në vend që të dilte në mbrojtje të Prokurorisë, të dëshmitarëve të cilët janë kyç në një proces të tillë si ky i Shullazit. Në vend që të dilte në mbrojtje të biznesmenëve të cilëve u është marrë pasuria duke iu vënë armën. Kjo është drejtësia që do Edi Rama. Nëse drejtësia do të ishte në këmbët e Edi Ramës, Shullazi do të ishte jashtë duke i vënë pistoletën në kokë biznesmenëve e duke iu marrë pronat. Dhe flet pastaj për reformën në drejtësi. Kush flet? Ai që mbolli të gjithë Shqipërinë me kanabis, çdo kodër nga jugu në veri në kanabis. Ai që futi në parlament deputetë me rekorde kriminale. Njerëz të dënuar nga drejtësia për trafik droge e prostitucioni. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë larg Edi Ramës. Larg qeverisë e larg Edi Ramës. Projekti që ka patur në kokën e vet Edi Rama, është rrëzuar. Është një projekt që u rrëzua nga Venecia. Ky ishte ai që vonoi reformën në drejtësi prej të paktën 2 vjetësh. Vonoi Byronë e Hetimit për të mbrojtur Emiliano Shullazin. Kërkon ta mbajë Byronë nën Shullazin?, u shpreh Halimi.