Asambleja e Partisë Socialiste ka nisur punimet për të zgjedhur organet më të rëndësishme drejtuese, kupolën e kësaj partie. Pritet që në zbatim të ndryshimeve të reja statutore, Asambleja të zgjedhë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë, Kryesinë, Sekretariatin Ekzekutiv, Komisionin e Zgjedhjeve, Kryefinancierin dhe Këshillin e Mbikëqyrjes Financiare. Në votim do të marrin pjesë 234 anëtarë të Asamblesë.
Kryetari i PS-së, kryeministri Edi Rama ka çelur punimet, duke u fokusuar tek Referendumi i PS, procesi i anëtarësimeve të reja dhe reformat që PS po udhëheq. Sipas Ramës Kongresi dhe Referendumi i PS, janë motivacion për të ecur përpara.
"Vijmë sot në këtë Asamble pas një Kongresi që i hapi rrugë një referendumi për herë të parë në historinë e partisë sonë por edhe në jetën politike të partive në Shqipëri. Ushtrim i shkëlqyer demokratik me pjesëmarrje shumë inkurajuese dhe shumë motivuese për mua dhe besoj për të gjithë këtu, pasi ajo çka ka ndodhur në këtë periudhë të fundit që kur asambleja vendosi të ndërmarrë një proces hapje të anëtarësisë, është një motivacion i fuqishëm për të ecur me vendosmëri," tha Rama.