Ish kryeprokurori i Republikës, Theodhori Sollaku e cilëson të dëmshëm për procesin ndaj Emiliano Shullazit, zhurmën që ka prodhuar politika këto ditë. I ftuar në ?45 minuta? nga Denis Minga në Report Tv, Sollaku u shpreh se kur flitet për segmente të botës së krimit, debati është i pashmangshëm, por kjo sipas tij, dëmton objektivitetin e çështjes.
Ish kreu i organit të akuzës vlerësoi punën e Prokurorisë dhe Policisë që çoi në arrestimin e Shullazit, pas kërcënimit që ai i bëri kandidatit për Rektor të UT, Mynyr Koni.
Sollaku tha se Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e rrethit të Durrësit do të bashkojnë dosjen hetimore për Shullazin dhe për vazhdimësinë e hetimeve do të punojë një trupë e vetme.
Sollaku shpjegoi edhe raportin e botës së krimit me politikën.
Sipas tij, segmente të krimit bashkohen politikës gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa më pas politika e ka të vështirë të shkëputet prej tyre.
Z.Sollaku, sa e ndikon çështjen e arrestimit të Emiliano Shullazit, debati politik që po bëhet për këtë arrestim?
Në fakt, kur ka persona të dyshuar të botës së krimit, do të jenë pjesë e debatit. Pra, kur ka aksione të policisë dhe prokurorisë. Normalisht, klima nuk i bën mirë objektivitetit të çështjes, por është për tu përgëzuar që Prokuroria e Policia veprojnë.
Do të ketë zhvillime pozitiv kjo ngjarje?
Detyrë e Policisë dhe e Prokurorisë është të veprojë kudo, pavarësisht nga emrat që lakohen në media apo nga politika. Kur konstatohet se dikush ka bërë një vepër penale është detyrë e prokrorisë dhe e policisë për të vepruar.
Dosja po hetohet e ndarë nga Prokuroria e krimeve të rënda dhe ajo e Qarkut të Durrësit...
Varet nga juridiksioni ku janë kryer veprat penale. Në një moment të caktuar procedural çështja mund të bashkohet. Përsa kohë bëhet fjalë për të njëjtët persona që kanë kryer vepra penale në Durrës, në Fier, apo në Tiranë, çështjet bashkohen dhe ndiqen nga një grup prokurorësh.