Report TV - Ja grupi kinez që kërkon të blejë koncesionin e Rinasit

Report TV 2016-04-13

Views 0

Pas arritjes së marrëveshjes për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve të aeroportit Nënë Tereza, zbardhet kompania kineze që po negocion për blerjen e koncesionit të Rinasit

China Everbright është grupi kinez i investimeve i përfshirë në negociata për të blerë koncesionaren gjermane që administron Aeroportin e Rinasit.

Zhvillimi i tratativave është konfirmuar për Report TV nga burime qeveritare, ndërkohë që vetë Tirana International Airport nuk ka pranuar të japë asnjë të dhënë lidhur me shitjen. E kontaktuar më parë lidhur me këtë çështje, kreu i zyrës së shtypit të Tirana International Airport tha se kompania ka vendosur të mos bëjë asnjë koment.

Ndërkohë që mësohet se tre kompanive që zotërojnë aksionet e Tirana International Airport kanë nisur prej kohësh tratativat për shitjen e kontratës monopolare.

Negociatat për shitjen e shoqërisë vijnë në një çast kur qeveria ka gjetur marrëveshjen me shoqërinë koncesionare për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare.

Pas dy vitesh negociatash qeveria bëri me dije se e bindi kompaninë të heqë dorë nga ekskluziviteti i fluturimeve në këmbim të zgjatjes me 2 vjet të kontratës koncesionare, e cila është dhjetë vjeçare.

Share This Video


Download

  
Report form