Dënimi për armëmbajtjen pa leje pritet të jetë në maksimum 5 vite dhe tregtia e armëve në 15 vite. Këto dënime janë parashikuar në projektligjin e ri i cili nga kjo e martë i është shpërndarë agjensive të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të drejtësisë ku me shkrim ato duhet të përcjellin opinionin mbi këtë projekt.
Ky projektligj është hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa ministri Ylli Manjani ka shpjeguar se ndryshimet kanë ardhur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shqetësimeve të ngritura qoftë nga prokuroria qoftë nga gjyqtarë në shkallë vendi.
Por çfarë parashikon projektligji i ri dhe neni 278 i riformuluar?
Mbajtja e municioneve luftarake, me burgim deri në dy vjet.
Mbajtja e armëve në banesë, me burgim nga një deri në tre vjet.
Mbajtja e bombave, minave ose lëndëve plasëse në banesë, nga një deri në katër vjet.
Mbajtja e armëve, e bombave, minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Falsifikimi ose fshirja, zhvendosja ose ndryshimi i paligjshëm i shenjave mbi armët dhe municionet luftarake dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Prodhimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave apo minave, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Shitja, blerja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave ose minave nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur vepra penale e parashikuar në paragrafët një deri në pesë të këtij neni kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.?
Si lindi debate për armëmbajtjen dhe vendimet e gjykatës kushtetuese?
Në mes të vitit 2015 qeveria shqiptare propozoi ashpërsimin e dënimit për armëmbajtjen dhe u arrit që të bëhet nga 5 në 15 vite, por kjo masë dënimi u ankimua në Kushtetuese nga Gjykata e Vlorës dhe u shfuqizua.
Por pas shfuqizimit Prokurori i Përgjithshëm kërkoi një ndërhyrje nga Qeveria me një projektligj, çka ka ndodhur këtë të martë dhe pritet që në mes të muajit prill ky projekt të mbërrij në parlament ku do të marrë dhe votën e deputetëve.