PL-ja propozon ligj për amnistinë e Kezharovskit

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Një ditë pasi gjykata vendosi zëvendësimin e paraburgimit në arrest shtëpiak për gazetarin Kezharovski, në kuvend Partia Liberale propozoi ligj për amnisti i cili do të përfshinte vetëm gazetarin Kezharovski. Sipas Ivon Veliçkovskit, me këtë propozim ndërpritet procedura gjyqësore ndaj gazetarit Kezharovski dhe krijohet bazë për praktikë të re gjyqësore të harmonizuar me praktikën evropiane ku nuk praktikohet dënimi me burg në rastet kur ndonjë gazetar zbulon identitetin e dëshmitarit të mbrojtur, qoftë edhe sikur ky dëshmitar të jetë pjesë e proceseve të Hagës. Aktualisht në Maqedoni ekzistojnë dy ligje për amnisti dhe një interpretim autentik i ligjit për amnisti.

"Vlerësoj se në këtë mënyrë Kuvendi ka mundësi të tregojë një qëndrim të qartë politik dhe të korrigjojë një situatë përmes së cilës i është shkaktuar dëm dinjitetit të saj lidhur me lirinë e mediave dhe atë të shprehjes. Njëkohësisht dua të theksoj se në këtë mënyrë Kuvendi mund të ndihmojë procesin e integrimit, sepse e dimë që ky rast ka alarmuar edhe asociacionin evropian të gazetarëve dhe atë politik", u shpreh Ivon Veliçkovski, PL.

Sipas LSDM-së, as propozimi i Veliçkovskit as edhe ai Pavle Trajanovit, ditë më parë, nuk do të kalojë nëse nuk tregohet vullnet politik nga VMRO DPMNE-ja.

"Shihet qartë se opinioni po përgatitet për një farë zbutje të dënimit apo, dhëntë Zoti, lirim të Tomisllav Kezharovskit, në mënyrë që të përfitohen pikë politike ditore. I bëjmë thirrje presidentit Gjorge Ivanov i cili ka kompetencat kushtetuese dhe të drejtën ligjore, ta lirojë menjëherë nga përgjegjësia Tomisllav Kezharovskin dhe me këtë, t'i japë fund golgotës së familjes së tij, si dhe t'i sigurojë të ardhmen Maqedonisë", tha Emiljan Stankoviq, LSDM.

Ditë më parë edhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit doli me idenë për ndryshim të ligjit për dëshmitarin e mbrojtur. Kjo ide, e shndërruar në projekt/ligj është futur sot në procedurë parlamentare. Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form