Edhe në ceremoninë e anëtarësimeve të reja të Partisë Socialiste në Shkodër, kryeministri Edi Rama është ndeshur me kërkesën e zgjedhjeve në PS, katër ditë para mbajtjes së Kongresit të PS.
Ka qenë deputetja e qarkut të Shkodrës, Mimoza Hafizi, e cila gjatë shpërndarjes së kartave të anëtarësisë, ka deklaruar se në PS duhen zgjedhje nga organizatat bazë e deri për kryetarin e PS.
Gjithashtu, Hafizi ka thumbuar Ramën edhe për qeverisjen e PS, kur iu është drejtuar anëtarëve të rinj socialistë që të qeverisin më mirë.
"Ju të rinj vini në PS për një karrierë të gjatë, të garantuar. Dhe ju shpresoni që të mos shpërfilleni as ju e as shoqet tuaja. Dëshiroj që të keni ardhur për të gjetur një strukturë demokratike, ku respektohen rregullat e normat. Ku secili prej jush ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, nga kryetari i organizatës e deri te kryetari i partisë. Shpresoj se ju vini në PS për të sjellë një qeverisje më të mirë, kundër korrupsionit, antishtetit, për kolegjialitet në PS, për respekt. Jam e sigurt që ju do të kërkoni t'i gjeni këto në PS. Dhe nëse është kjo, për një Shqipëri më të mirë, përmes një partie më të mirë, ardhtë sa më parë dita që kjo parti dhe fati i saj të jetë në dorën tuaj", u shpreh Hafizi.