Nivel tepër i dobët i kandidatëve për tu pranuar në shkollën e policisë. Burime nga grupi kontrollues bënë me dije se nga korrigjimi i 1 mijë testeve të para kanë mundur të fitojnë vetëm 4 kandidatë.
Ata janë 4 djem dhe mundën të merrnin 70 pikë, që ishte niveli minimal i vendosur nga Policia e Shtetit për tu pranuar në shkollë.
Në total do konkurrojnë 5020 kandidatë për 300 vende.
Provimi që nisi këtë të martë do të vazhdojë në datat 16 dhe 17 mars.
Ditën e mërkurë do testohen kandidatët e Durrësit, Fierit, Elbasanit dhe Beratit, ndërsa në datën 17 mars testohen kandidatët e Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhë, Korcë, Vlorës dhe Dibrës
Konkursi për tu pranuar në shkollën e policisë do të zhvillohet në katër Faza.
E para është testimi me shkrim, i dyti testimi i aftësive fizike, më pas intervista me gojë dhe i fundit testimi psikologjik.
Më i rëndësishmi është testimi me shkrim i cili zë 70% të peshës së pranimit.