http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Më 28 gusht të 2014 një bombë e telekomanduar në mjetin e biznesmenit Isuf Brahimaj i mori atij jetën dhe la të plagosur të dashurën 19 vjeçare. Ngjarja e rëndë ndodhi në Vlorë në rrugën Transballkanike kur mjeti ishte në lëvizje. Edhe pse në atë kohë policia tha se eliminimi i biznesmenit u bë për hakmarrje, asnjë i dyshuar nuk u shoqërua, ndërkohë që ngjarja mbeti e pazbardhur. Dy vjet pas vdekjes së 42 vjecarit Prokuroria konfiskoi hotelin në pronësi të tij në zonën e Ujit të Ftohtë pas dyshimeve se është ndërtuar më para që vijnë nga aktivitete kriminale. Hoteli rezulton në pronësi të babait të tij, Shpëtim Brahimaj, por sipas Prokurorisë ai është ngritur me paratë e djalit të tij. Sipas organit të akuzës një ndër pistat e ngritura për vrasjen e 42 vjecarit ishin edhe përplasjet e mundshme për trafikun e lëndëve narkotike, pasi Brahimaj ishte dënuar nga autoritetet italiane dhe holandeze për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Gjatë hetimeve u konstatua se babai i viktimës kishte legalizuar në emër të tij një ndërtesë 5-katëshe të papërfunduar, e cila ishte destinuar për shërbime hotelerie. Por ai nuk kishte mundësi financiare të realizonte shpenzimet për ndërtimin e hotelit, të cilat, sipas çmimeve referuese arrijnë në 100 milionë lekë të reja. Në këtë vlerë nuk është llogaritur trualli, qe sipas dokumentacionit të blerjes është shënuar 120 mijë euro, por që dyshohet se është blerë rreth 700 mijë euro. Prokuroria ka dyshime se shpenzimet për blerjen e truallit dhe ndërtimin e godinës 5-katëshe janë realizuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal të djemve të pronarit, Isuf dhe Ermal Brahimaj. Edhe vëllai i biznesmenit të vrarë është hetuar dhe dënuar nga autoritet italiane dhe holandeze për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.