Pas negociatave të zhvilluara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore me Bankers Petroleum, është arritur marrëveshja për caktimin e një eksperti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me raportin e auditit për vitin 2011, njoftoi Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Bankers Petroleum është dakordësuar që të pezullojë procesin e arbitrazhit në të cilin kishte paditur shtetin shqiptar.
Zëvendësdrejtori i Bankers Petroleum, Rob Carss u shpreh: Jemi të kënaqur që kemi arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare dhe kemi ndërprerë procesin e arbitrazhit. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me qeverinë dhe në dialog. Po presim me padurim dhe do të pranojmë vendimin e ekspertit. Marrëveshja, tha ai, konfirmon marrëdhënien pozitive që kemi me qeverinë.
Eksperti i përzgjedhur është ?PricewaterhouseCoopers?, kompani e njohur ndërkombëtarisht, e cila do të asistohet edhe nga ekspertët e kompanisë ?Navigant Consulting?, e specializuar për analizën e shpenzimeve hidrokarbure. Raporti përfundimtar i ekspertëve mbi mosmarrëveshjen mes shtetit shqiptar dhe Bankers Petroleum parashikohet të jetë gati brenda 4 muajsh.
Negociatat mes institucioneve shqiptare dhe Bankers Petroleum janë zhvilluar në përputhje me vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit dhe parashikimet përkatëse në marrëveshjen hidrokarbure. Në procesin e negocimit, institucionet shqiptare janë asistuar nga Avokatura e Shtetit si dhe kompani ndërkombëtare të mirënjohura avokatie si Curtis, Mallet-Prevost, Colt & Mosle LLP.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë bashkë me Bankers Petroleum kanë rënë dakord gjithashtu për nisjen e një procesi negociatash për amendimin e marrëveshjes hidrokarbure, me synim përmirësimin e termave financiare të marrëveshjes, duke korrigjuar problematikat e hasura deri më tani dhe përmirësuar procedurat për një kontroll më efikas të strukturave të shtetit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ?Bankers Petroleum? dhe qeveria shqiptare kanë arritur një marrëveshje, e cila i lejon kompanisë kanadeze të rifitojë kontrollin e llogarive të saj bankare. Sipas marrëveshjes, kompania? do të paguajë të plotë detyrimin tatimor prej 57 milionë dollarësh, të cilin qeveria pretendon se është shmangur nga kompania. Skema e rënë dakord parashikon që grupi kanadez të paguajë menjëherë 10 për qind të kësaj shume dhe pastaj nga 4.2 milionë dollarë çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.