Vitet e fundit janë rritur ndjeshëm kërkesat për strehim në shtëpitë e të moshuarve. Kushtet por edhe dëshira për të jetuar më vete, ka bërë që shumë të moshuar të largohen nga banesa e tyre për të jetuar në një shtëpi të re me bashkëmoshatarët. Report TV ka qenë në shtëpinë e të moshuarve në Fier, e cila është edhe një nga qendrat rajonale që strehon këtë moshë.
Fenomeni i braktisjes të të moshuarve apo i dëshirave të brezave për të jetuar më vete, ka bërë që në shtëpitë e të moshuarve të rriten kërkesat për strehim. Vitet e fundit janë hapur edhe shumë shtëpi të moshuarish të administruar nga privatët, por sërish kërkesat për në shtetëror janë të shumta. Shtëpia e të moshuarve në Fier, është një nga ato rezidenca ku kërkesat për strehim janë të shumta. Punonjësja sociale e shtëpisë së moshuarve Fier, Manola Mengjesi, e cila është edhe personi që u gjendet më afër banorëve të kësaj shtëpie, shprehet për Report TV se për shkak të kërkesave të larta ka ardhur koha e ndërtimit të një godine të re për përballimin e kërkesave.
Në shtëpinë e të moshuarve në Fier jetojnë 60 persona, po aq sa është edhe kapaciteti i kësaj godine. Edhe pse në këtë godinë është investuar disa herë, vitet kanë sjellë amortizimin e saj. Por, edhe pse kushtet nuk janë aq të përshtatshme për shëndetin e kësaj moshe, banorët aty shprehen të kënaqur, kryesisht me shërbimin dhe personelin.