Banorët e fshatrave që dëmtohen nga ndërtimi i hidrocentralit të Katundit të Ri dolën sot dhe protestuan pikërisht në vendin ku firma turke do të ndërtojë Digën e Hidrocentralit tek Ura e Katundit të Ri.
Ishin qindra banorë të zonës, mes tyre edhe fëmijë, ato që kishin dalë për të kundërshtuar këtë vendim të qeverisë, pa transparencë dhe pa pyetur banorët e zonës, që preken prej tij.
Dëmi që shkaktohet nga ndërtimi i Skavicës dhe Katundit të Ri është i pa llogaritshëm.
Kryetari i Shoqatës së luginës së Drinit të Zi, Nazmi Drizi u kujtoi dibranëve se qeveria nuk ndërton rrugën e Arbrit, por ndërton Skavicën sepse aty bëhen pazare dhe kjo në fshehtësi të plotë.
Kryetari i PD-së Dibër, iu drejtua banorëve të Dibrës, të majtë e të djathtë, që ndalojnë këtë marrëzi të qeverisë, pa marrë mendimin e qytetarëve të cilët preken drejtpërdrejt.
Janë mijëra hektarë tokë, qindra hektarë pemtore që mund të shkatërrohen nga ndërtimi i kësaj vepre, pa llogaritur këtu edhe objektet e trashëgimisë kulturore, qindra objekte historike, vendbanime Ilire, Kisha të vjetra, kulla dhe xhami të para 1400-ës.
Po ashtu janë edhe shumë parcela me varreza ndërkohë që shumë familje do të duhej të shpërnguleshin, çka do të sillte edhe shpopullimin e zonës.