TIRANE - Moratorium i gjuetisë i cili mbyllet në muajin mars, duhet të shtyhet me të paktën 5 vit. Kështu shprehet në një intervistë për Report Tv drejtori i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Zamir Dedej i cili njëherësh bën thirrje që të denoncohen rastet e gjuetisë së paligjshme.
"Jam që të vazhdojë kjo punë dhe për 5 vjet dhe kam përshtypjen që qeveria është në tratativa për ta vazhduar këtë moratorium. Modeli që duam të japim është që sot për gjuetinë fitojnë pak njerëz", thotë Dedej.
Dedej thotë se vetëm denoncimi me foto në rrjetet sociale nuk është i mjaftueshëm në rastet e gjuetisë së paligjshme pasi duhet që denoncuesit të japin të dhëna edhe për vendin apo personat e mundshëm që e kryejnë këtë veprim që më pas të bëhet edhe ndëshkimi.
"Shqetësimi është i drejtë, ne ndajmë me shoqërinë civile që ka bërë këto lloj denoncimesh të njëjtin mendim dhe përsa i përket pjesës së marrëdhënieve me shoqërinë civile kërkojmë që shoqëria civile përveçse denoncimit që bën në media që është e drejtë e saj të jetë pjesë e asaj lufte që ne po bëjmë çdo ditë e më shumë në terren si me administratat e zonave të mbrojtura si me inspektoratin e Mjedisit për të ndaluar gjuetinë e paligjshme", shprehet Dedej.
Pas denoncimeve të shumta në rrjetet sociale por edhe nga monitorimet në terren, agjencia në bashkëpunim me policinë e Shtetit kanë bërë edhe sekuestrimin e disa armëve të gjahut.
"Vetëm para dy javësh jashtë parkut të Divjakës rojet tona së bashku me policinë kanë bllokuar dy persona me çifte dhe që janë proceduar dhe i është sekuestruar dhe çiftja. Para disa rastesh po prapë rojet tona në zonën e Korçës dhe Pogradecit në një fotografi që ishte postuar u gjetën autorët u denoncuan në polici dhe policia i thirri për ndjekje në gjendje të lirë", - thotë kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Moratorium i gjuetisë ka sjellë ndërkohë edhe shtim të kafshëve e shpendëve duke u bërë kështu edhe një atraksion për turistët e huaj.