TIRANË - Policia nuk gjen mbështetje tek organet e drejtësisë në luftën kundër krimit. Kështu u shpreh nga studio e Report TV, Erzen Breçani, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës për rendin dhe Sigurinë publike. Braçani thotë se prokuroria dhe policia duhet të bashkëpunojnë për të nxjerrë akte në mënyrë që të gjithë kontingjentet kriminal të mbahen në përgjim të përhershëm.
Personat me precedentë penalë të shoqëruar në polici e të lënë më tej të lirë, sipas Breçanit duhet të jenë nën mbikëqyrjen e policisë në mënyrë që të dihet se cilat vende ata frekuentojnë e çfarë rrethi shoqëror kanë.
"Rendi ruhet duke parandaluar ngjarjet kriminale, këta individë kriminalë, kontingjent të policisë së shtetit duhet të mbahen në mbikëqyrje duke organizuar një plan masash duke i mbajtur në vëzhgim, të nxirren akte që të mbahen në përgjim të përhershëm. Të dihen vendbamini e tyre, lokalet që frekuentojnë, rrethi shoqërori tyre. Lanë shoqëruar janë lënë të lirë, duhet të ruhen sepse janë kontingjent i policisë së shtetit. Ata ku gjejnë shesh fillojnë edhe veprojnë. Policia ka dështuar në mbajtjen në mbikëqyrje", tha ai.
Nëse personat e përfshirë në masakrën e Elbasanit të cilët rezultuan me precedentë penale, do të ishin vëzhguar do të ishte më e lehtë kapja e autorëve,pasi policia sipas Breçanit - do të ishte më e orientuar për të ditur bazat e tyre.
"Në një ngjarje kriminale të tillë kur përfshihen persona që kanë qenë kontingjent, kur nuk realizohet arrestimi i tyre i shpejtë, policia e Shtetit duhet të hapë kartotekën në thesarin e Policisë së Shtetit, të shohë të dhënat që kanë dhënë oficerët, dhe të bëjnë kontrolle duke pasur informacione", u shpreh Breçani.
Sipas ish-nëndrejtorit të Policisë së kryeqytetit, atentati i Elbasanit me tre të vdekur dhe 8 të plagosur, ishte i mirëorganizuar në çdo detaj nga grupe të strukturuara kriminale.
Faktin që të plagosurit dhe viktimat e atentatit, ishin të gjithë të mbledhur në lokalin në pronësi të Agron Capjes i cili mbeti i vrarë, Brecani e argumenton kështu: "Duke ndenjur bashkë i duket vetja të pathyeshëm, afrojnë njerëz t'i kenë për aktivitetin e tyre kriminal që kanë pasur përgjatë viteve".
Sipas tij, seria e vrasjeve mes dy familjeve Çapaj-Mema që shënoi së fundi tre viktima mbrëmjen e së mërkurës në Elbasan, mund të ishte parandaluar nëse do kishin funksionuar tre hallkat, polici- prokurori- gjykatë. Pasojat sipas tij, mund të ishin edhe më tragjike në jetë njerëzish, por fatmirësisht një prej autorëve i ka rënë nga dora kallashnikovi.
Ish-numri dy i policisë së Tiranës thotë se shumë prej personave te përfshirë në këtë konflikt kanë dalë përpara drejtësisë, por për mungesë provash nuk kanë marrë dënimet e merituara.
Erzen Breçani ka qenë edhe shef komisariati në Tiranë tek 2-shi dhe 5-a dhe shef i shtabit të RENEA-s.