http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Raporterët e Komisionit të Venecias kanë nisur takimet në Tiranë për paketën e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi. Në orën 11.15 ata kanë mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku janë takuar me kryetarin e komisionit të posaçëm parlamentar Fatmir Xhafaj dhe ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe të huaj të atashuar pranë këtij komisioni. Takimi zgjati për rreth dy orë dhe ekspertët e nivelit të lartë kanë parashtruar këndvështrimet e tyre mbi ndryshimet kushtetuese, përfshirë edhe pikën më të nxehtë, atë të zgjedhjes së anëtarëve të gjykatave. Në axhendë parashikohet takimi me Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, dhe më pas me ekspertët e Partisë Demokratike. Axhenda e përfaqësuesve të Komisionit të Venecias do të vijojë ditën e premte me takimet me Presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta. Ndërkohë që mbrëmjen e së premtes parashikohet të dalin në një konferencë për shtyp. Opinioni përfundimtar mbi draftin e rishikuar Komisioni i Venecias do ta përgatisë gjatë muajit shkurt, i cili do të prezantohet në mars.