http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Aksioni kundër informalitetit po dëshmon se nuk ka patur rezultat. Të ardhurat në buxhetin e shtetit nuk janë realizuar as pas rishikimit me ulje që i bëri buxhetit qeveria, duke thelluar gropën me 69 milion dollarë. Tatimet dhe doganat sërish nuk kanë përmbushur planin që parashikonin, por drejtoria që ka performuar më dobët ka qënë ajo e doganave, e cila nuk ka arritur të realizojë dot plot 38 milion dollarë. Nëse shihen edhe taksat, te të cilat ka qënë më i përqendruar aksioni i organeve tatimore, tatimi mbi vlerën e shtuar, jo vetëm që nuk ka përmbushur pritshmëritë, por është mbledhur më pak se një vit më parë. Edhe pse numri i kasave fiskale të cilat raportojnë në sistemin e tatimeve është 5 -fishuar, TVSH-ja ka rënë me 11 milion dollarë nëse krahasohet me 2014-ën. Argumenti që sjell Ministria e Financave për të shpjeguar këtë fenomen është rënia e importeve, sipas saj bizneset në Shqipëri kanë kryer blerje nga jashtë, por për mallrat që janë përjashtuar nga TVSH. I njëjti sqarim jepet edhe për zhdoganimet që u janë bërë produkteve të akcizës, nafta sipas ministrisë së financave po prodhohet në vend, ndërsa mosmbledhja e akcizës së duhanit, taksë që u rrit edhe këtë vit, sqarohet me rritjen e vlerës së dollarit. Sikur të mos mjaftonte performanca e dobët te mbledhja e taksave, qeveria nuk po shpenzon dot as paratë e buxhetit. Shpenzimet kanë rënë me 2%, dhe pikërisht zëri i investimeve publike, të cilat japin një efekt të drejtpërdrejtë në ekonomi. Financat kanë ngrirë edhe dhënien e detyrimeve të prapambetura, rritja ne kete ze ka qene vetëm me 10 milion dollarë. Me këto shifra të deritanishme, qeveria po bën të pashmangshëm një shkurtim të mëtejshëm të buxhetit të shtetit, edhe pse zbriti në fund të korrikut 160 milion dollarë nga ai fillestar.