http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kur mazhoranca dhe opozita duket se po shkojnë drejt një konsensusi politik mbi çështjen e shumë debatuar të dekriminalizmit, një ngërç procedurial duket se mban peng mbledhjet e komisionit të posaçëm parlamentar. Kreu i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi, në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, kërkon ndryshimin e Programit të Punës dhe Kalendarit të Punimeve të Kuvendit, ku të përcaktohet se komisioni përgjegjës, që ngarkohet me shqyrtimin e nismave mbi çështje të dekriminalizimit është komisioni në fjalë.Bylykbashi thekson se opozita ka propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend dy iniciativa ligjore, pjesë e fushës së veprimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Por, deputeti demokrat vëren se në kundërshtim të Rregullores së Kuvendit, në Programin e Punës, janë përcaktuar si struktura përgjegjëse për shqyrtimin e tyre, Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit. Bylykbashki thekson se këto struktura do të ishin përgjegjëse për shqyrtimin e iniciativave vetëm nëse Kuvendi nuk do të kishte ngritur një strukturë të posaçme. Mirëpo, në kushtet kur ka një komision të tillë, duhet që të përcaktohet si strukturë përgjegjëse pikërisht Komisioni i Posaçëm i ngritur me vendim të posaçëm. Ligjvënësi demokrat kërkon ndërhyrjen sa më të shpejtë me qëllim zhbllokimin e punës së komisionit të posaçëm për dekriminalizmin, i cili u ngrit pas marrëveshjes së dhjetorit të vitit të kaluar, e arritur me ndërmjetësimin e eurodeputetëve Kukan dhe Flakenshtaijn.