http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, riktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i miratuar në seancën plenare të 21 korrikut. Vendimi u morr pas konsultimeve me ekspertë, akademikë, përfaqësues të profesoratit, por edhe me ministren e Arsimit. Kreu i shtetin rendit 6 (gjashtë) arsye juridike, që sipas tij bëjnë ligjin antikushtetues dhe për pasojë nuk mund të marrë bekimin e tij. Së pari, Presidenti Nishani arsyeton se fryma e ligjit, nuk garanton autonominë e arsimit të lartë, ne funksion të procesit të Bolonjës. Sipas tij, ligji është i bazuar në qasjen etatiste, pra është shteti në qendër, jo universiteti dhe studentët siç edhe duhet të jetë. Kreu i shtetit, argumenton se përmes këtij ligji rrezikohet të kushtëzohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj, por që mund të arrijnë në shifra të larta të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri. Si argument të tretë, që mbështet vendimin për kthimin e ligjit, Presidenti i Republikës thekson se ligji nuk garanton Autonominë e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Lirinë Akademike të parashikuar nga Kushtetuta. Gjithashtu, Presidenti i Republikës nuk është dakord me Ligjin për Arsimin e Lartë edhe për faktin se autonomia e Institucioneve të Arsimit të Lartë në kuptim të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, cenohet për sa kohë krijohen apo ristrukturohen Agjenci të ashtuquajtura Autonome, të cilat janë në varësi të plotë të Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin. Së pesti, Presidenti Nishani, thotë se autonomia e Universiteteve cenohet edhe nga ndikimi i ekzekutivit në përbërjen e Bordit të Administrimit. Si pikë të fundit të aryetimit juridik të vendimit për kthimin në Kuvend të Ligjit për Arsimin e Lartë, Presidenti i Republikës shprehet se ministri nuk mund të pezullojë dhe propozojë për shkarkim një organ të zgjedhur nga personeli akademik, pasi bie në kundërshtim me parimet e autonomisë universitare si edhe me një sërë parashikimesh kushtetuese. Për të gjitha këto arsye, kreu i shtetit kërkon nga ligjvënësit të rishqyrtojnë ligjin, duke kryer përmirësimet e nevojshme.