http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Të gjitha kompanitë, të cilat do të kërkojnë të marrin me koncesion pasuri publike, tashmë duhet të sjellin një projekt të qartë dhe të detajuar se si do të zhvillojnë biznesin e tyre, në mënyrë që të mos dështojnë si qindra lejet e dhëna në vite për ndërtimin e HEC-eve. Edhe pse me debate, më në fund Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet në ligjin për partneritetin publik-privat. Por ndryshe nga optimizmi i qeverisë, kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe i ka tërhequr vëmendjen jo vetëm Ministrit Ahmetaj, por edhe atij të Financave Shkëlqim Cani. Ai tha se duhet të nisin procedurat për të prishur marrëveshjet e dhëna monopol për disa koncesione, si ai i pullave fiskale, markimi i karburanteve dhe kolaudimi i makinave, të cilat mbajnë tarifa tmerrësisht të larta për konsumatorin. Edhe pse shqiptarët paguajnë kosto të larta për kompani, të cilat kanë marrë përsipër të kryejnë shërbime shtetërore, sërish abuzimet në treg nuk shmangen. Mjafton të përmendim rastin e pullave fiskale, ku edhe pse është muaji i shtatë që ka hyrë në fuqi akciza e re për duhanin, kompanitë kanë prerë pulla me vlerën e akcizës së vjetër. Nga ana tjetër kompania e cila shenjon naftën, në mënyrë që të ketë garanci për cilësinë, nuk e kryen këtë funksion për të gjitha firmat që tregtojnë e prodhojnë karburante.