http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Më shumë se 12 orë kanë marrë për të diskutuar buxhetin e vitit 2015-të, ku edhe pse ka patur zëra kritikë brenda mazhorancës, kuvendi ka kaluar me 77-të votat e deputetëve të pranishëm buxhetin e shtetit dhe paketën fiskale. Kryeministri Rama e ka cilësuar buxhetin e 2015-ës si një projekt i cili do të mbështesë rritjen ekonomike pa u dashur të merren masa shtrënguese. Sipas tij do të rriten vetëm 3 taksa, ndërsa 15 të tjera do të ulen. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe edhe pse dakord me paketën fiskale dhe buxhetin nuk ka harruar të kritikojë qeverinë për taksat që po ul duke favorizuar një grup biznesmenësh të caktuar. Braçe i ka kujtuar kryeministrit zotimet që ka marrë përpara shqiptarëve në fushatën zgjedhore të 2013-ës. Si një ministër që ndodhet në vështirësi për të kënaqur dëshirat e të gjithëve Shkëlqim Cani i ka ftuar deputetët të votojnë buxhetin me këto fjalë:Kam arritur në një konkluzion, që edhe nëse premton dhe i kënaq të gjithë se do i plotësosh dëshirat dhe pastaj nëse i thua po përballesh në fund me gënjeshtrën. Unë e di që nuk është një buxhet perfekt, dhe nuk besoj se ka një buxhet të tillë. Por di që është një buxhet që shikon në sy sfidat dhe problemet e ekonomisë sonë. Edhe pse pa praninë e opozitës, kuvendi nuk ka qënë i varfër në debatet për taksat e reja që do ët hyjnë në fuqi dhe për orientimet që do të ketë arka e shtetit për vitin e ardhshëm. Deputeti Majko ka kërkuar që qeveria të falë kamtvonesat e energjisë elektrike, ndërsa deputetë të tjerrë si Namik Dokle, Vangjel Tavo dhe Fatmir Toçi kanë kërkuar që qeveria të shohë me kujdes premtimet e bëra dhe të bëjë investime në zona të Shqipërisë që sot janë në mjerim. Buxheti i 2015-ës ka planin më ambicioz në 24 vite demokraci, ai synon të mbledhë 460 milion dollarë më shumë të ardhura, ku 300 do të vijnë nga miradministrimi, një kërkesë kjo e hershme nga buxheti. Ndryshe nga katër vitet e mëparshme, qeveria vitin e ardhshëm do të ulë borxhin publik në 65.6%. Por në të njëjtin kah do të rriten edhe tre taksa që prekin drejtpërdrejt konsumatorin: tatimin e të ardhurave personale, taksën e qarkullimit e cila mblidhet te nafta dhe akcizën për duhanin.